Nis asfaltimi i rrugës Kodër Bujaras-Gostimë, destinacion i turizmit shëndetësor

103

TIRANË,10 gusht/ATSH- I. Vata/ – Bashkia e Elbasanit dhe Fondin për  Zhvillimit Rajonal kanë bërë të mundur investimin për shtrimin e  rrugës Kodër Bujaras-Gostimë.

Deputeti i PS-së për qarkun e Elbasanit Taulant Balla shprehet se ishim në njësitë Tregan dhe Gjergjan të Elbasanit për të vijuar inspektimin e punëve publike të shumta që po kryhen nga Bashkia Elbasan.

“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputetin Arben Kamami inspektuam punimet e kryera bazuar në një teknologji të re asfaltimi. Një zonë e cila vuante tërësisht mungesën e infrastrukturës tashmë gëzon një aks rrugor sipas të gjitha standardeve. Bëhet fjalë për rrugën Kodër Bujaras-Gostimë. Investimi i kësaj rruge u bë i mundur nga aplikimi i Bashkisë Elbasan në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve”, shtoi ai.

Më tej, Balla tha se për ne është i dosmosdoshëm zhvillimi i kësaj zone, për shkak të rëndësisë së saj si një nga zonat më të mëdha të prodhimit bujqësor, por e bekuar me ujëra termale. Pra një agro-turizëm dhe turizëm shëndetësor në një destinacion të vetëm.

“Kjo rrugë lidh një zonë shumë të rëndësishme përsa i përket agroturizmit pasi zona e llixhës është një atraksion turizmi shëndetësor për gjithë Shqipërinë dhe trevat mbarëshqiptare. Janë me qindra e me mijëra shqiptarët, qoftë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia që shfrytëzojnë llixhat. E gjithë kjo zonë furnizon me prodhime agro-ushqimore hotelet dhe restorantet në zonën e llixhave”, u shpreh deputeti Balla.

Po ashtu, Balla vuri theksin te rëndësia që ka ky segment, jo vetëm për shfrytëzimin e llixhave por lidhjen e disa fshatrave për qindra banore.

“Të gjitha këto njësi, Shushica, Shirgjani, Gjergjani, Tregani, janë pikërisht zona ku ne jemi tërësisht të fokusuar për të ndryshuar infrastrukturën pasi janë zona punëtore që e kanë lidhur jetën e tyre me bujqësinë dhe për këtë ne duam t’i japim rëndësi agroturizmit.” Tha Balla

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini informoi edhe për projektin i cili synon shndërrimin e zonës së Treganit dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj.

“Kjo është një nga rrugët më të bukura dhe më me interes për Njësinë Administrative të Treganit dhe të Gostimës. Është bërë 1/3 e rrugës ndërkohë që ka edhe dy faza të tjera. Është fillimi i një investimi tjetër tepër të fuqishëm që do të lidhë përfundimisht Gostimën me Llixhën, duke përfshirë edhe projektin studimor për Llixhën. Kjo rrugë ka dy përfitime. E para janë banorët e zonës të cilët e kërkonin prej vitesh dhe e dyta, duke qenë zonë shëndetësore, mjekësore dhe turistike është edhe një nyjë lidhëse me pjesën tjetër të Shqipërisë duke kaluar nga Gostima, jo vetëm në Gramsh, por edhe në Berat”, tha Sejdini.

Deputeti i zonës Arben Kamami vuri në dukje dosmosdoshmërinë e këtij aksi për banorët e zonës, të cilët ishin mosbesues, pasi për shumë vite e kishin pritur këtë investim dhe nuk ishte realizuar:

“Këtë investim e premtuam në fushatën e vitit 2015 dhe sot 1/3 e tij është realizuar dhe me parametrat e kërkuar. Deri në fund të vitit do të vazhdojmë investimin edhe në 2/3 e mbetura të kësaj rruge. Përfundimi i kësaj rruge do të bëjë të mundur edhe shkurtimin e lidhjes më tej me qytete të tjera të Shqipërisë si Kuçova dhe Berati”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.