Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë frenon mbiçmimin e lekut

158

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit.

Sipas BSH-së, tregu i brendshëm financiar vazhdon të shfaqet i qetë dhe likuid, por presionet mbiçmuese të lekut vijojnë të jenë të pranishme në segmentin e tij valutor.

Masat e fundit të politikës monetare – ulja në nivelin 1.0% e normës bazë të interesit dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor, me objektiv frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit – kanë rezultuar efektive.

Normat e interesit të lekut kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe letrave me vlerë në lekë shfaqen në nivele minimale.

Megjithatë, BSH shprehet se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm.

Ndaj, Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.