Hapet ekspozita “Unë jam Shqiptar”, pjesë e Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë

120

PRISHTINË, 10 Gusht /ATSH-B.Jashari/.-Në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës  hapet sot pasdite ekspozita fotografike “Unë jam Shqiptar”,  me tematikë migracionin, organizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe  pjesë e Kalendarit të Përbashkët Kulturor të dy ministrive të Kulturës, Shqipërisë e Kosovës.

Organizatorët bëjnë të ditur se, ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Në ekspozita që hapet në ora 17:00 prezantohen edhe portrete të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare si Fan Noli, Faik Konica dhe Mihtat Frashëri, si dhe personalitete tjera të suksesshme shqiptare në vendet e emigrimit të tyre.

Ekspozita “Unë jam shqiptar” udhëtoi drejt Muzeut të Kosovës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kjo ekspozitë, ideuar dhe organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në muajin dhjetor 2017,  në Muzeun e Kosovës në Prishtinë do të qëndrojë e hapur nga 10 deri 31 gusht 2018./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.