Gjermani – Mungesa e oksigjenit vret më shumë se 20 tonë peshk në një liqen

99

GJERMANI, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Mungesa e oksigjenit në liqenin Aasee në qytetin gjermano-perëndimor të Muensterit ka shkaktuar ngordhjen e shpejtë të një sasie të konsiderueshme peshku, në një nga incidentet më të fundit si pasojë e valës së të nxehtit të pazakontë që ka përfshirë Europën.

“Më shumë se 20 tonë peshk të ngordhur u grumbulluan pasditen e së premtes me anë të rrjetave dhe një makinerie me vakum”, u shpreh Matthias Peck, kreu i agjencisë mjedisore të Muensterit.

Ngordhja e algave të gjelbra ka shkaktuar uljen e menjëhershme të nivelit të oksigjenit në ujin e liqenit, thuhej në një komunikatë të autoriteteve lokale.

Ekspertët e organizatës shtetërore të peshkimit dhe autoritetet lokale mendojnë se shumica e rezervës së peshkut në këtë liqen ka ngordhur.

Gjermania dhe pjesa tjetër më e madhe e Europës po përballet javët e fundit me një valë të jashtëzakonshme të nxehti, që ka detyruar autoritetet përkatëse të evakuajnë mjellmat nga lumi Alster në Hamburg, ndërsa aeroporti i Hanoverit u mbyll përkohësisht pas dëmtimit të pistës për shkak të të nxehtit.

Në fillim të javës, më shumë se një tonë peshk i ngordhur u nxor nga lumi i Rihnit të Epërm në kufirin mes Gjermanisë dhe Zvicrës, pavarësisht masave për mbrojtjen e tyre nga i nxehti.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.