FUTBOLL-Prezantohet Bonuçi: “Milani” ishte një gabim, këtu fitohet

96

TIRANË, 10 gusht/ATSH-A.Fortuzi/- “U ktheva në Shtëpi. Ika i inatosur, por u pendova shumë shpejt për gabimin që bëra. Vërshëllimat do ti kthejë në duartrokitje”, këto ishin fjalët e para të mbrojtësit Leonardo Bonuçit gjatë prezantimit te skuadra e “Juventus”.

Futbollisti i kombëtares italiane pasi ka luajtur një sezon me “Milanin”, është rikthyer në shtëpi dhe është gati të rimarrë pozicionin që kishte para se të largohej, ku fitoi 6 tituj kampion radhazi.

“Jam entuziast që jam kthyer. E kam bërë sepse më mungonte shtëpia. Falënderoj “Juventus”-in, trajnerin, menaxherin tim dhe “Milan”-in, që më kanë lejuar të jem këtu sot për të nisur këtë rrugëtim të ri. Viti i kaluar te “Milan” më ka dhënë shumë në aspektin njerëzor, por më ka hequr fitoret. Këtu ka organizim dhe fitohet”, kanë qenë fjalët e para të mbrojtësit italian.

Në lidhje me vendimin për të shkuar te “Milani”: “Ka qenë një vendim i marrë në një moment zemërimi, nuk ka qenë ai i duhuri”, u shpreh ai.

Erdha tek “Juventusi” sepse më mungonte shtëpia ime. E falënderoj “Juventusin”, “Milan”-in dhe menaxherin tim që më dhanë mundësinë për të qenë këtu. Pata oferta të ndryshme nga jashtë Italisë, por doja vetëm “Juven”. Marrëdhënia me Alegrin? Jemi takuar dhe kemi sqaruar gjithçka si dy njerëz të zgjuar me një përqafim. Kur u largova lashë zemrën, tani jam prapë këtu, me familjen time”, vijoi Bonuçi, i cili më tej u fokusua dhe tek tifozët.

“Tifozët i kuptoj dhe i respektoj sikurse kam bërë gjithmonë. Pas çdo ndeshjeje gjithmonë kam shkuar për t’i falënderuar. Vendimi për t’u larguar sezonin e kaluar ishte emocional. Vërshëllimat? Duhet t’i kthej në duartrokitje. Tani fillon një sfidë e re për mua. Jam një person më i mirë, por duhet të rikuperoj si futbollist.”, tha mbrojtësi.

Sa i takon “Juventusit” dhe ardhjes së Kristiano Ronaldo, mbrojtësi u shpreh mjaft entuziast.

 “Është mirë që e kemi në ekip, duke parë atë që ka ndodhur në vitet e kaluara. Nëse do të përballemi përsëri me Real-in, ndeshja nuk do të fillojë 1-0 për ata. Të stërvitesh me atë është një stimul për të gjithë, është një nga ata që nuk i lë asgjë rastësisë dhe është gjithmonë i përqendruar. Kam fatin që jam kthyer te “Juventus” dhe të kem lojtarë me të vërtetë të fortë në krahun tim”, ka thënë Bonuçi./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.