FOTO/ Fshati Zogaj, thesari turistik mes madhështisë natyrore dhe freskisë së alpeve

531

TIRANË,10 gusht /ATSH/ – Shqipëria është një thesar turistik e cila ka shumë për të zbuluar. Vendet turistike për tu eksploruar nga turistët vendas dhe të huaj janë të shumta nga deti tek mali,nga lumi tek liqenet dhe natyrat e qeta deri tek ato të egrat dhe të paprekura.

Veriu i vendit tonë ka vende në të cilat pushuesit mund t’i largohen vapës mbytëse të gushtit, ku një ndër to është dhe një thesar i vogël që ndoshta shumica e vizitorëve se kanë eksploruar ai është fshati Zogaj.

Ndodhet vetëm 7 kilometra larg qendrës së Shkodrës në këmbët e Taraboshit dhe në liqenin e Shkodrës.

Një fshat që prej shekujsh njihet për peshkimin, bimët medicinal, natyrën e virgjër dhe veçanërisht për klimën alpine që ka.

Nuk ka pluhur makinash, nuk ka zhurma dhe nuk ka ndërtime që e kanë shkatërruar faunën dhe florën e zonës. Studiuesit mendojnë që në atë zonë kalon një rrymë ajrore e alpeve .Prej kohësh këtë fshat, e kanë vizituar familje të cilat fëmijët e tyre kishin problem shëndetësore dhe pas pak kohësh përmirësimet kane qenë të dukshme, kjo për arsye të klimës që ka, malit me sherbelën e zonës dhe shumë bimë medicinale që përhapen në ajër.

Në këtë fshat mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku të cilët banorët e ruajnë me fanatizëm. Kjo zonë të jep shumë mundësi për argëtim sepse ka ujëra të pastra dhe një natyrë të paprekur.

Plazhet e zonës janë publike, moli shërben për trampolin, varkat të cilat mund të merren me një shumë simbolike për të lundruar dhe shtëpitë e vjetra që mund të shërbejnë si bujtina, janë aktraksionet dhe mundësitë ideale për të bërë pushime të lira dhe të mrekullueshme.

Në këtë zonë mund të bëhen udhëtime me biçikleta dhe eksplorime në shtigjet e malit të Taraboshit që shkojnë afër fshatit Skje në Malin e Zi.

Të rinjtë e EKO Mendje po i bëjnë një promovim të mrekullueshëm disa prej atraksioneve më të bukura të vendit tonë./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.