FOKUS – SHBA-ja krijon forcat e armatosura hapësinore

205

UASHINGTON, 10 gusht /ATSH-AFP/ – Administrata amerikane njoftoi sot krijimin e “Forcave Hapësinore”, një degëzim i gjashtë i forcave të armatosura që është kërkuar nga presidenti Donald Trump, i cili dëshiron të garantojë dominimin e hapësirës nga SHBA-ja.

“Ka ardhur koha që të shkruajmë kapitullin e ardhshëm të historisë së forcave tona të armatosura, që të përgatitemi për fushë betejën e ardhshme”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence në një fjalim para ushtarakëve në Pentagon.

“Ka ardhur çasti që të krijojmë forcat amerikane të hapësirës”, deklaroi ai.

Tashmë përgatitjet kanë filluar për ta bërë këtë forcë hapësirnore degëzimin e gjashtë të forcave të armatosura, në krahë të ushtrisë tokësore (US Army), ushtisë së ajrit (US Air Force), marinës (US Navy), trupave marinsa dhe rojes bregdetare, sikurse ishte shprehur në maj presidenti Trump.

“Për të mbrojtur Amerikën, një prani e thjeshtë në hapësirë nuk mjafton, ne duhet ta dominojmë hapësirën”, kishte deklaruar presidenti amerikan.

Ushtarët e të gjithë botës varen gjithnjë e më shumë nga pajisjet gjeolokalizuese për operacionet e tyre dhe siguria e sateliteve është bërë një çështje me rëndësi të veçantë.

“Hapësira ka ndryshuar ndjeshëm prej një gjenerate. Sot, kombe të tjera përpiqen të çrregullojnë sistemet tona që ndodhen në hapësirë dhe kontestojnë si kurrë më parë supremacinë amerikane”, deklaroi Pence.

Zëvendëspresidenti citoi gjithashtu lëshimin në vitin 2007 nga Kina të një rakete që shënjestroi dhe shkatërroi një prej satelitëve të saj, duke e konsideruar si “një veprim shumë provokues dhe demonstrim i kapaciteteve në rritje të Kinës për të militarizuar hapësirën”.

Ai përmendi gjithashtu projektet ruse për lazera që transportohen nga avionë dhe raketa me qëllim shkatërrimin e sateliteve amerikane.

“Kundërshtarët tanë e kanë shndërruar hapësirën në një fushë beteje”, theksoi ai. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.