Ekstradohet nga Greqia një shtetas i dënuar për vrasje

TIRANË, 11 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Nga Specialistët e Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Saimir Gegolli 37 vjeç, lindur në Berat.

Shtetasi Saimir Gegolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendim nr. 154, datë 14.10.2010 e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga nenet 76 dhe 51 të Kodit Penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në datë 05.07.1997, rreth orës 13:00 në afërsi të fshatit Uznovë, Berat, ky shtetas, i armatosur me armë zjarri pistoletë, së bashku me dy persona të tjerë A.K. dhe S.K., të armatosur me armë zjarri automatike, nën kërcënimin e armëve kanë ndaluar një makinë që udhëtonte nga Berati për në Skrapar dhe kanë detyruar të zbresin dhe të shtrihen përtokë të gjithë pasagjerët.

Njëri prej pasagjerëve ka kundërshtuar t’u bindet dhe Saimir Gegolli i ka shtënë në kokë me armë, duke i shkaktuar vdekjen shtetasit N.M.

Shtetasi Saimir Gegolli është arrestuar nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.