Debati për kufirin Kosovë-Serbi, Majko: Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë

109

TIRANË, 10 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar lidhur me debatin e kufirit Kosovë-Serbi. Ministri Majko theksoi se çështja për ‘Rrëzim të kufirit’, është për rastin e embargove.

“Tritan Shehu ka deklaruar se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi e mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko… në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.” (As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë)”, shkruan Majko

“Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë”, vijon Ministri për Diasporën

““Rrëzimi i kufirit” si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi evropian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë”, përfundon Majko. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.