30 vjetori i varjes Havzi Nela, inaugurohet rindërtimi i shtëpisë së poetit

430

TIRANË, 10 gusht/ATSH- I. Vata/ – Me rastin e 30 vjetorit të varjes nga diktatura të poetit Havzi Nela, Bashkia e Kukësit inauguroi sot shtëpinë e poetit.

Në Kollovoz të Kukësit, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të shtëpisë së rindërtuar të poetit martir Havzi Nela nga Bashkia Kukës, nën kujdesin e veçante të Kryetarit, Bashkim Shehu.

Poeti u la i varur në mes të Kukësit 10 gusht 1988

Diktatura komuniste në Shqipëri në prag të rrëzimit të saj, shënoi  krimin monstruoz për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se regjime mizore nuk kursejnë askënd, madje vrasin dhe poet.

Poetin e tregojnë të brishtë, të imët, sy mprehtë por që brenda tij jetonte revolta për liri, jetonin vargje, poezia, frymëzimi i një bote të tërë që kërkonte ta shpaloste për shpirtin e tij dhe të tjerët.

Brenda tij, kishte një jetë tjetër nga ajo e diktaturës, ishte bota e lirisë, dimensioni i saj që e shtynte poetin nga brenda të çlironte dritë, të thurte vargje, të shkruante vaj e kujë për vendin e izoluar dhe lirinë e burgosur.

Siç tregojnë dëshmitarët dorëshkrimet e fundit i kish groposur në fshatin Kollovoz të Kukësit që të mos binin në duart e sigurimit të shtetit dhe njerëzve të regjimit komunist.

Kush ishte poeti i martirizuar?

Havzi Nela, lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. U arsimua  në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij.

Pas shumë vështirësish, ai gjeti një punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit i cili u dëbua për shkak të aktivitetit të dyshimtë.

Më pas ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme të tilla si Kruma, Lojma, dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan.

Havzi Nela kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë, dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe se ku ai mund të jetonte.

Pasi u lexoi nxënësve të tij poemën “Shko dallëndyshe” shkruar nga Filip Shiroka, Havzi Nela, me gruan e tij, Lavdie, rrezikuan jetët e tyre duke marrë rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill, 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit.

Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllav i vunë në prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij, i burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj, 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB.

Më 22 maj, 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg.

Më 8 gusht, 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit.

Më 19 dhjetor, 1986, ai u lejua tën dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor, 1987, ai u arrestua dhe u dërgoi internua në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje.

Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës.

Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Poeti Havzi  Nela la një sërë veprash dhe dorëshkrimesh si “Në qelitë e burgut”, “Nuse më dhanë robninë”, “Eni të vajtojmë Shqipërinë” dhe “Nusja e flamurit”, “Asnjë çast lumnije” e dorëshkrime të tjera. /a.d/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.