Rajoni i Epirit dhe Gjirokastra, bashkëpunim në turizëm dhe emergjenca civile

27719

TIRANE, 9 gusht/ATSH/ Rajoni i Epirit në Greqi dhe qarku i Gjirokastrës shprehën angazhimin për të bashkëpunuar në fushën e emergjencave civile, turizmit dhe të agroturizmit dhe në realizimin e projekteve me fondet e Bashkimit Europian.

Në qytetin e Janinës është zhvilluar takimi i parë midis Prefektit të Qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj dhe Prefektit të Rajonit të Epirit, Aleksandros Kahrimanis me praninë dhe të Konsullit të Përgjithshëm Shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria.

Në këtë takim Prefekti i qarkut, Astrit Aliaj vlerësoi kontributin e Prefektit të Rajonit të Epirit për bashkinë Dropull, me një mjet zjarrfikës dhe një mjet pastrimi.

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj shprehu idenë e krijimit të një grupi në rang qarku, me ekspertë të fushave të ndryshme ku të përzgjidhen ide dhe më pas të kalohet në studime të projekteve me grupe të përbashkëta pune, të cilat do të kërkojnë mbështetje financiare nga Bashkimi Europian.

Një tjetër plan me interes të përbashkët ishte edhe futja në guida turistike të rrugës që ka përshkruar Shën Kozmai në territoret tona.

Në muajin shtator 2018, të dy delegacionet e prefekturave do të takohen në Gjirokastër ku do të paraqiten idetë dhe do të kalohet në studime të projekteve konkrete./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.