Kampionati Europian i Atletikës, Smajlaj: Rezultatet në Berlin u manipuluan

78

TIRANË, 9 Gusht/ATSH-A. Fortuzi/- Izmir Smajlaj, atleti olimpik ka hedhur akuza për manipulim të rezultatit në Kampionatin Europian që u mbajt në Berlin.

Smajlaj ka publikuar një video e cilat tregon pretendimet e tij për manipulim, duke shkruar: “Te nderuar miq. Si fillim dua t’iu falenderoj për mbështetjen dhe vëmendjen qe me kushtuat këto 2 ditë në garën time kualifikuese dhe finale. Por, me vjen keq që dhe në “Kampionatin Europian” të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat. Mund të shikoni videon për të parë të vërtetën e kërcimit të 3-të i cili u deklarua 7,47m e më pas ma dhanë 7,73m, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre. Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë për të gjithë, më dëmtoj imazhin tim si Kampion Europian i sallave të mbyllura, si dhe më dëmtoj moralisht që të isha ne zonën e medaljeve këtë vit.”

Atleti shkodran thotë se bashkë me “Federatën Shqiptare të Atletikes”, kanë denoncuar këtë rast në institucionet përkatëse si ne IAAF, dhe gjatë kohës po bëhen verifikimet e duhura. “Shpresoj më të mirën!Ju falenderoj e ju premtoj që në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptaret! “, shkruan atleti./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.