Jemen –Kryqi i Kuq: 50 të vdekur në një sulm kundër një autobusi shkolle

135

Sana, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën 50 persona humbën jetën, ndërsa 77 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi ajror kundër një autobusi në Jemen, njoftoi sot Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Trupat e 30 të vdekurve dhe 48 të plagosur, kryesisht fëmijë, janë dërguar në një spital vendas të mbështetur nga Kryqi i Kuq, shtoi organizata humanitare përmes një publikimi në Twiter, duke cituar një zyrtar vendas.

Sulmi ajror u krye nga avionët e koalicionit të kryesuar nga Arabia Saudite në provincën Saada, në veri të Jemenit, pretenduan rebelët Houthi, të cilët luftojnë kundër koalicionit.

Shumica e të vrarëve ishin fëmijë nën 15 vjeç, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, që kontrollohet nga grupi rebel.

Banorët vendas deklaruan se autobusi transportonte nxënës, të cilët po shkonin në një shkollë verore kur u goditën nga një raketë në Dahyan, një bastion i rebelëve pranë kufirit saudit.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.