Heronjtë ​Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare

PRISHTINË, 9 gusht/ATSH/- Posta e Kosovës promovoi sot pullat postare për heronjtë Bekim Berisha – Abeja dhe Bedri Shala, në përvjetorin e 20-të të rënies së tyre në betejën e lavdishme në Junik.

Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësinë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së.

“Bekimi dhe Bedriu erdhën nga mërgimi për t’i dalë zot atdheut në përballje me regjimin e egër serb. Pushka e tyre jehoi në beteja anekënd Kosovës deri në flijimin e tyre heroikë në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998”, theksoi drejtori ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.

Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë.

“Bekim Berisha- Abeja mori pjesë edhe në luftën në Kroaci dhe në Bosnje duke u bërë pjesë e pashlyeshme e historisë së popullit kroat dhe boshnjak. Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e UÇK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta”, theksoi Hoxha.
Bekim Berisha – Abeja u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës, ndërsa Bedri Shala u lind në Gjergjicë të Drenasit më 2 qershor 1969.

Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy gjeneralët e UÇK-së janë dekoruar nga presidenti i Kosovës me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në shenjë nderimi, kryeshefi  Sejdi Hoxha i dorëzoi familjes Berisha, familjes Shala dhe kryetarit Lladrovci pullat postare të punuara në bronz, si dhe pullat postare në kornizë./Kosovapress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.