FOTO/ Kalaja e Mbjeshovës, “e strukura” në gjirin e Shpiragut

75

TIRANË,9 gusht /ATSH/ – Fshati Mbjeshovë gjendet afër skajit verior të Shpiragut, ndërsa kalaja është rreth 15 minuta më tej. Ajo kurorëzon një kodër shkëmbore, që duket sikur struket në gjirin e Shpiragut.

Kalaja ka një perimetër më tepër se 5000 m. dhe një sipërfaqe rreth 1,2 ha. Muret janë 1,60 m. të trashë dhe të ndërtuar me gurë të vegjël .

Në lindje e në perëndim ata lakohen duke shfrytëzuar terrenin e pjerrët, kurse në veri e jug, qëndrojnë përballë drejtimeve të sulmit. Në ballin jugor duken tri kulla, dy rrethore dhe një këndrejtë, e madhe dhe e fuqishme, ndoshta kulla e hyrjes kryesore.

Por rrënimet e mbulojnë, duke i lënë në pah veç njërës faqe e një qoshe, mundet që ato të mbulojnë dhe një kullë të katërt në skajin jugperëndimor. Kullat rrethore me diametër 3,92 m. e 7,70 m. kanë qenë me dy kate. Hyrja që gjendej në ballin verior është prej 3.25 m. e gjerë.

Pothuaj ngjitur me të ngrihet kulla mbrojtëse në formë trapezi. Veç saj, në anën lindore gjendet një hyrje e vogël 1,20 m. e gjerë për shërbime e dalje të shpejta.

Brendësia e kështjellës mbulohet prej gurëve e dheut dhe nga copat e qeramikës, kryesisht buzë qypash të mëdhenj a ndonjë vegje.Ornamentet i kanë të njëjta,vija treshe e katërshe të valëzuara. Motivet dhe mënyra e punimit janë ato që pëlqeheshin nga poçarët e shek.IV-VI të erës sonë. Vetë kështjella datohet prej tyre dhe nga teknika e ndërtimit në këta shekuj.

Përveç kësaj gjendet edhe një sipërfaqe tjetër e pafortifikuar që shkon rreth 2.2 ha, e cila bën të kuptosh se dhe këtu krahas fortifikimit ka pasur një vendbanim të hapur./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.