Ditët e para të gushtit, 50 mijë udhëtarë dhe 12 mijë autovetura në Portin e Durrësit

117

TIRANE, 9 gusht /ATSH/ -Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim, në 5 ditët e para të muajit gusht, kanë transportuar afro 50 mijë udhëtarë dhe mbi 12 mijë autovetura gjithsej.

Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual Durrës (APD), mësohet se edhe në fillim të këtij muaji numri i udhëtarëve dhe autoveturave që kanë mbërritur në Durrës me tragete vazhdon të jetë mjaft i lartë dhe gjatë periudhës 5-ditore janë regjistruar në hyrje 37.529 udhëtarë me 9.448 autovetura gjithsej.

Megjithëse vërehet një rritje e vogël e numrit të udhëtarëve dhe automjeteve në dalje nga Durrësi, numri i regjistruar në periudhën 1-5 gusht është përkatësisht 11.711 udhëtarë dhe 2.748 autovetura në dalje.
Numri i udhëtarëve në hyrje është 3.2 herë më i lartë se sa i atyre që shfrytëzojnë tragetet për tu nisur drejt Barit dhe Ankonës. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.