Çuçi: Qytetarët ndërgjegjësohen për mospërdorimin e qeseve plastike

143

TIRANË, 9 gusht/ATSH-Maela Marini/ Heqja nga përdorimi i qeseve plastike dhe zëvendësimi i tyre me çanta bezeje sjell si domosdoshmëri edhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve.

Për këtë, Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Prefektët dhe shoqërinë civile kanë ndërmarrë një fushatë promovuese, duke shkuar afër konsumatorëve dhe duke shpjeguar ndikimin në mjedis të kësaj nisme.

Në një prononcim për ATSH-në, zv/ministrja e Mjedisit Ornela Çuçi informoi mbi ecurinë e fushatës promovuese për heqjen nga përdorimi i qeseve plastike.

Aktualisht, tha Çuçi, jemi duke bërë një fushatë të madhe promorcioni sa u përket konsumatorëve për përdorimin e torbës.

“Bashkë me ne është edhe këngëtari Landi, i West Side Family dhe të gjithë së bashku po mundohemi të promovojmë përdorimin e torbës, duke qenë një mjet lehtësisht i përdorshëm që zëvendëson qesen plastike në mënyrë të lehtë dhe për një kohë shumë gjatë”, tha për ATSH-në, zv/ministrja Çuçi.

Ajo theksoi se po shpërndahen qese bezeje në shumë pika, duke filluar nga Velipoja, Shëngjini, qyteti i Lezhës dhe Rana e Hedhun.

“Po shikojmë realisht një përkrahje të madhe të gjithë komunitetit për nismën tonë dhe përdorimin e torbave në zëvendësimin e qeseve plastike”, tha Çuçi.

Kjo fushatë promovimi, sipas saj, do të vazhdojë gjatë.

Ndërsa Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjergj Prendi, u shpreh për ATSH-në se “organizimi i promocionit në Lezhë, për zëvendësimin e qeseve plastike me çanta prej bezeje dhe me logon “ Smile Albania“ është një punë që vlen shumë për ndërgjegjësimin e konsumatorëve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.