Ambasadorja Schütz: Gjermania qëndron krah Shqipërisë për anëtarësimin në BE

226

TIRANË,9 gusht/ATSH- I. Vata/ – “Mekanizmi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kolonë mbështetëse e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e cila po mbështetet prej vitesh nga Gjermania”, u shpreh sot për ecurinë e procesit të vetingut, ambasadorja gjermane Susanne Schütz.

Ambasadorja Schütz  shton se “unë e përshëndes faktin që procesi i vetingut i nisur në muajin mars ka përparuar mirë. Falë punës së rëndësishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve dhe përkrahjes së përkushtuar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, u bë e mundur që në fazën e parë të vetingut të verifikohen shumë gjyqtarë dhe prokurorë, madje dhe të nivelit të lartë. Jam e bindur se një proces verifikimi i pavarur dhe me standarde të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë”.

“Prandaj është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore. Në këtë kuptim Gjermania do të mbështesë edhe Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese. Gjermania qëndron krah Shqipërisë duke mbështetur vendin në rrugën drejt negociatave për anëtarësimin në BE”, tha Schütz.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.