4 milionë euro për rrugët që të çojnë në bukuritë e Prevallës dhe Brezovicës

107

 

TIRANË, 9 Gusht/ATSH/- Një investim prej 4 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve rajonale, R115 dhe R210, dy degëzime që të dërgojnë për në Prevallë dhe në Brezovicë, do të afrojë më shumë turistët me Kosovën.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, i cili thekson se “ky investim do të mundësojë qasje me të lehtë në bukuritë e Prevallës dhe Brezovicës, komunikim më të shpejtë për komunitetin që jeton në këtë zonë dhe rritje të kapaciteteve për zhvillim të turizmit”.

Sipas tij, rehabilitimi i këtyre rrugëve do të ndodhë edhe në zonën e komunës së Shtërpcës.

Për të diskutuar lidhur me këtë investim, ministri Lekaj priti në takim kryetarin e kësaj komune, Bratislav Nikoliç, të cilin e informoi se do të investohen 1.2 milion euro dhe do të ndërtohet një infrastrukturë me të gjitha elementet e duhura.

Ministri Lekaj u shpreh se “përmes investimeve në zonat e mrekullueshme malore të Kosovës, e afrojmë vendin tonë edhe më tepër me turistët dhe investitorët”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.