Thaçi: Asociacioni i komunave serbe, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës

PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/- Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, me opinionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe me realitetin e krijuar në terren.

Kështu deklaroi sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar sot në ambientet e presidencës.

“Kosova do t’i kryejë të gjitha detyrimet që i ka marrë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013 dhe nga marrëveshjet e mëvonshme të nënshkruara në vitin 2015. Në kuadër të kësaj edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që nënkupton respektimin e Kushtetutës së Kosovës, marrëveshjeve të Brukselit e kritereve dhe standardeve për pushtet lokal europian, po ashtu edhe realitetin e krijuar në terren, por edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, nënvizoi Thaçi.

Kreu i shtetit tha se “tashmë janë përmbyllur të gjitha procedurat për dekretimin e gjykatësve të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës për Gjykatën Kushtetuese. Zyrtarizimi mund të ndodhë sot ose nesër, por gjithsesi këtë javë”.

“Marrëveshja për themelimin e Asociacionit është e qartë. Ky Asociacion do të themelohet sipas marrëveshjes Vuçiq-Mustafa, ndërsa do të kalojë në procedurë të respektimit të plotë të opinionit të Gjykatës Kushtetuese”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.