STUDIM – E vështirë për t’u besuar, por shumë shpejt nuk do të ketë më rërë!

116

MADRID, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Qiellgërvishtësja “Burj Khalifa” në Dubai, 828 metra e lartë, është një kullë që shkëlqen nën diellin e shkretëtirës, kjo është godina më e lartë në botë.

Por kjo nuk është e vetmja shifër habitëse. Në fakt, janë përdorur 330 000 metër kub beton për ta ndërtuar dhe betoni përbëhet kryesisht nga rëra. Përreth, shumë struktura të reja po ngrihen në drejtim të qiellit, pra akoma më shumë qiellgërvishtëse janë duke u ndërtuar.

Ndërtimi është në rritje jo vetëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në të gjithë planetin. Kërkesa për rërë dhe zhavorr është rritur aq shumë sa që disa ekspertë kanë lëshuar alarmin, se shumë shpejt rëra do të bëhet e rrallë, ose do të zhduket krejtësisht.

Kjo gjë ka ndodhur në të vërtetë në Xhamajkë, ku në vitin 2008, plazhi me vijëbregdetare 400 metra të gjatë u zhduk brenda natës.

Autorët, arritën në një farë mënyrë të largohen me 500 kamionë të mbushur plot me rërë. Fajtorët nuk u gjetën asnjëherë dhe hetimet u zhytën gjithnjë e më shumë… në rërë.

Mendohet se kjo rërë është përdorur për të mbushur një plazh tjetër ose është përdorur në industrinë e ndërtimit. Në çdo rast, kjo ishte një grabitje shumë fitimprurëse, sepse kërkesa për rërë është po aq e lartë sa edhe për flori.

“Rëra është themeli i shoqërisë moderne”, thotë Aurora Torres, shkencëtare në Qendrën gjermane për Kërkime të Integruara të Biodiversitetit, që ka studiuar efektet e shfrytëzimit të rërës dhe që është publikuar në revistën shkencore “Science” vitin e kaluar.

Njëkohësisht, grimcat e kuarcit janë bërë, pas ujit dhe lëndëve të para, materiali më i konsumuar në botë. Rëra nuk është vetëm një përbërës i ndërtimit, ajo është gjithashtu pjesë e gati çdo gjëje tjetër, nga xhami tek asfalti, nga kozmetika tek pastat e dhëmbëve, nga mikroçipët tek ekranet e smartfonëve, nga makinat tek avionët. Dioksidi i silicit përdoret gjithashtu edhe në industrinë e verës dhe shumë produkte të tjera ushqimore.

“Rëra është super ylli i epokës industriale dhe dixhitale”, sipas një vëzhgimi të bërë në një raport të universitetit të Teknologjisë në Zyrih.

Riciklimi i materialeve të ndërtimit dhe përpjekjet për ta bërë rërën e shkretëtirës të përshtatshme për ndërtim duken premtuese.

“Por problemi është shumë kompleks, me shumë fakte dhe ende i ri. Të gjesh një alternativë për rërën është e vështirë. Rëra është një material special sepse historikisht ka qenë shumë e bollshme dhe e lirë”, thekson Torres.

Askush nuk ka gjetur ende një zgjidhje që mund të kënaqë këtë kërkesë gjigante. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.