Rritet fluksi i pasagjerëve që udhëtojnë me charter

TIRANË, 8 gusht/ATSH/- Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me charter për dhe nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë, ka shënuar rritje gjatë vitit 2018.

Autoriteti i Aviacionit Civil në buletinin mujor për muajin korrik 2018 me statistika për aviacionin shqiptar e ndërkombëtar bën të ditur se “në qershor të 2018 shifra shkon në 44.392 pasagjerë më shumë, krahasuar me vitin 2017, duke shënuar një rritje të fluksit”.

Sipas të dhënave, vihet re se numri i pasagjerëve që fluturojnë me charter ka pësuar një rritje nga viti në vit ndaj totalit të pasagjerëve.

“Por, në vitin 2018 është më e dukshme rritja pasi ato përbëjnë 16.42% ndaj totalit, ndërkohë që në 2017 ka qënë 9.30% dhe në 2016, 9.28% dhe këtu nuk përfshihen muajt e pikut që janë Korriku dhe Gushti, ku pritet një rritje e konsiderueshme”, thuhet në buletin.

Autoriteti i Aviacionit Civil sqaron se përsa i përket numrit të pasagjerëve të fluturimeve charter për muajin Maj 2018 ka patur trefishim të fluturimeve, që në përqindje shkon në 204.92%, kjo si rrjedhojë e numrit të lartë të turistëve të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.