Pacolli: Përkrahja e Çekisë, e rëndësishme për Kosovën

PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy, me të cilin diskutoi për zhvillimet e gjithanshme politike në Kosovë, rajon dhe me gjerë.

Pacolli dhe Silhavy  një vëmendje të posaçme i kushtuan edhe përkushtimit dhe vullnetit të dyanshëm ndër-shtetëror për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.

Mbështetja e mëtejshme e Republikës së Çekisë drejt proceseve të integrimit në strukturat euro-atlantike; liberalizimit të vizave; integrimit dhe anëtarësimit të vendit në organizata ndërkombëtare ishin disa nga temat tjera të bashkëbisedimit, për të cilat Pacolli ka vlerësuar se përkrahja e Republikës së Çekisë është shumë e rëndësishme. /Kosovapress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.