FOTO- Haradinaj në Vlorë: Fryma e vëllazërimit të rritet më tej

VLORË, 8 gusht/ATSH-Harilla Koçi/- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbërriti sot në Vlorë ku u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Dritan Leli, gjatë të cilit u shprehën se fryma e vëllazërimit mes dy vendeve të rritet më tej.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës, kryebashkiaku Leli e cilësoi një privilegj të madh për të që kryeministri i Kosovës ndodhet në bashkinë e Vlorës.

Kreu i bashkisë së Vlorës theksoi në fjalën e tij se “ky është moment i rëndësishëm, sepse do të diskutojmë për problemet dhe hallet e përbashkëta për të gjetur hapësirë për t’i kaluar ato”.

Leli vlerësoi kontributin e Haradinajt për çështjen e shqiptarisë, duke e cilësuar punën e tij një kontribut të shkëlqyer për Kosovën dhe Shqipërinë.

Kryeministri Haradinaj shprehu kënaqësinë që ndodhet në Vlorë, të cilën e cilësoi si zemra e shqiptarisë.

“Vij në Vlorë me porosinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë për forcimin e lidhjes mes Shqipërisë dhe Kosovë”, theksoi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në nëntor të 2012 u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Vlorës, titull që në mungesë të Haradinajt u tërhoq nga bashkëshortja e tij Anita.

“Gjej rastin t’iu falënderoj për këtë vlerësim që me keni bërë”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë kosovare premtoi se do të punojmë së bashku që fryma e vëllazërimit mes nesh të rritet më tej, ndërkohë që për shumë kosovarë Vlora mbetet një destinacion për pushimet e verës”.

Kryeministri Haradinaj do të zhvillojë më pas një vizitë në Monumentin e Pavarësisë, do të vendosë kurora me lule pranë varrit të Ismail Qemalit, do të vizitojë Muzeun Historik, si dhe Muzeun e Pavarësisë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.