BSH me ligj të ri për shërbimet e pagesave

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Banka e Shqipërisë publikoi për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji ka si qëllim krijimin e një baze të qartë ligjore për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë dhe synon të përafrojë pjesërisht legjislacionin shqiptar me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës të datës 25 Nëntor 2015 “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Hartimi i projektligjit adreson një sërë objektivash strategjikë të Bankës së Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave me qëllim krijimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri, mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase pagesash, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh e shërbimesh pagesash që plotësojnë nevojat e përdoruesve.

Transpozimi i kësaj direktive përbën gjithashtu dhe një nga detyrimet për t’u përmbushur nga Banka e Shqipërisë në kuadër të integrimit në BE, si pjesë e kapitullit IV, Lëvizja e Lirë e Kapitalit të “Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” dhe përafrimin me tregun e pagesave të Bashkimit Europian (SEPA).

Në njoftimin për shtyp të BSH-së, bëhet e ditur se afati i konsultimit zgjat deri në datën 20 shtator 2018./m.m/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.