Zv.ministrja Çuçi: Penalitete për çdo prodhues që nuk respekton vendimin

199

TIRANË,7 gusht /ATSH/ – Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e prodhimit, tregtimit dhe importimit të qeseve plastike, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit po kryen në mbarë vendin, inspektime në subjektet që prodhojnë qeset plastike.

Në një nga inspektimet  e kryera në qarkun e Tiranës  ka qenë e pranishme dhe zv.ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi e cila ka ndjekur nga afër kontrollet në 6 kompanitë ekzistuese të prodhimit.

Pas inspektimit rezultoi se në 5 prej tyre ishin zbatuar kriteret e reja për prodhimin e qeseve plastike me trashësi mbi 35 mikron dhe për shtimin e elementëve të biodegradueshëm. Vetëm një prej subjekteve nuk kishte respektuar kriteret dhe për pasojë inspektorët vendosën masë administrative, gjobë me vlerë 10 milionë lekë të vjetra.

“Përgëzojmë bizneset që po respektojnë ligjin dhe u bëjmë apel bizneseve të tjera të reflektojnë dhe të mos prodhojnë më qese plastike të pabiodegradueshme dhe nën 35 mikron. Asnjë subjekt nuk do të lejohet që të shkelë vendimin ”- deklaroi zv.ministrja Çuçi.

ISHMP vijon inspektimet në mbarë vendin për të kontrolluar të gjitha subjektet prodhuese në zbatimin e vendimit për qeset plastike./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.