Qendrës Kinematografike të Kosovës i rritet buxheti 100%

PRISHTINË, 7 gusht/ATSH/- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi gjatë vizitës sot në Qendrën Kinematografike të Kosovës bëri të ditur se kjo qendër do ketë rritje të buxhetit 100%.

“Kjo qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim 100%. QKK do të ketë buxhetin për filmat rreth 1 milion e 200 mijë euro, kurse buxheti total i QKK-së do jetë rreth 1 milionë e 400 mijë euro, kjo për shkak të punës së madhe që po ndodh në këtë qendër të filmit, për shkak të angazhimit të madh dhe çmimeve dhe rezultateve që kanë pasur filmat tanë“, theksoi  Gashi.

Duke inkurajuar të gjithë regjisorët që të vazhdojnë punën e tyre, Gashi u shpreh se me këtë rritje buxhetore do të mbështesin 28 filma.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se “Qendra Kinematografike e Kosovës do i marr fondet pavarësisht kërkesave nga regjisorët”.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, duke shpresuar se buxheti  do vazhdojë të rritet për këtë qendër, u shpreh se kjo ndikon që të rriten edhe prodhimet filmike në vend.

“Sot publikojmë edhe vendimet që ka bërë këshilli drejtues për projektet filmike fituese këtë vit. Siç e dini më herët juria vlerësuese ka bërë një përzgjedhje të projekteve filmike, por pas rritjes buxhetore që kemi pasur nga Ministria e Kulturës, juria është takuar rishtazi dhe i ka mbështetur edhe disa projekte që kanë qenë në listë të pritjes”, deklaroi Zharku./Kosovapress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.