Festa e Birrës në Korçë, Policia merr masa për garantimin e sigurisë publike

TIRANË,7 gusht/ATSH- I. Vata/ – Policia Vendore Korçë ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të manifestimit të Festës së Birrës-Gusht 2018 në qytetin e Korçës.

Ditën e mërkurë në qytetin e Korçës, përpara Stadiumit “Skënderbeu” si edhe tek “Pazari i Vjetër” do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.

Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, “Pallati i Sportit”, Qendra e Trajtimit të Studentëve, drejt Unazës së Stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e dritave të verdha) duke filluar që nga data 08.08.2018, ora 10:00.

Po ashtu policia sqaron se organizatorët kanë marrë masa për lejimin e parkimit, pranë kompleksit sportiv, në afërsi të stadiumit.

Ndërkohë do të lejohet hyrja në unazën lindore dhe veriore të stadiumit, vetëm për automjete apo subjekte të veçanta që janë të autorizuar nga organizatorët e këtij eventi.

Përgjatë shesheve dhe bulevardeve kryesore të qytetit “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku ka përqendrim dhe qarkullim të madh njerëzish e mjetesh, do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të Policisë së Korçës, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, si edhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Në varësi të fluksit të mjeteve, Policia Rrugore do të marrë masa për orientimin dhe disiplinimin e lëvizjes si para, gjatë por edhe pas përfundimit të aktivitetit, deri në normalizimin e saj.

Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.

Shërbimet e Rendit, do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si : Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj për të forcuar masat e ruajtjes së tyre./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.