Pacolli emëron dy anëtarët përfaqësues të Kosovës në Komisionin e Venedikut

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/- Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, emëroi dy anëtarët përfaqësues të Republikës së Kosovës në Komisionin Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venedikut), mekanizëm që është në kuadër të Këshillit të Europës.

Dy anëtarët e rinj të emëruar janë profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe Visar Morina, bën të ditur njoftimi për shtyp i Ministrisë së Jashtme.

Gjatë takimit, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli, i kërkoi anëtarëve të sapoemëruar angazhim maksimal dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Komisionin e Venedikut.

Profesor Qerimi dhe Morina u zotuan për një punë dhe përfaqësim profesional të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm, me synimin e përmirësimit të rendit juridik, nivelit të demokracisë dhe forcimit të pozicionit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.