MAQEDONI – Kurz në vizitë zyrtare para referendumit për emrin

VJENË, 6 gusht /ATSH-MIA/ – Kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit siguron presidencën e radhës të Bashkimit Europian, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoni më 7 shtator, tre javë para referendumit të vendosur për ndryshimin e emrit në kuadër të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë.

Kjo vizitë zhvillohet pas një ftese të bërë nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili para referendumit ka ftuar edhe disa liderë të tjerë evropianë.

Gjatë vizitës së fundit të Zaevit në Vjenë, në fund të qershorit, Kurz u bëri thirrje qytetarëve të  Maqedonisë që të marrin pjesë në referendum për të votuar për emrin e ri “Maqedonia e Veriut”.

“Marrëveshja rreth emrit të shtetit me Greqinë është progres vendimtar në procesin e afrimit të Maqedonisë në BE”, theksoi Kurz.

Sipas tij, arritja e progresit për perspektivën europiane është një nga prioritetet e kryesimit austriak me BE-në.

“BE-ja nuk është e plotë pa shtetet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Kurz./

/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.