Veliaj: Askush nuk mund ta sabotojë qytetin, puna në Tiranë nuk ndalet

141

TIRANË, 4 gusht/ATSH/- Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi të shtunën se “askush nuk mund ta sabotojë qytetin, sa të jem unë kryetar bashkie, puna në Tiranë nuk ndalet”.

Në një intervistë televizive, kryebashkiaku Veliaj i kujtoi qytetarëve të Tiranës se kryeqyteti është drejtuar për 4 vjet nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, por ky nuk diti të rregullojë as sahatin që shihte nga dritarja e zyrës së tij, e jo më të bënte ndonjë punë.

“Qyteti ynë është menaxhuar nga Partia Demokratike. Kryetari i opozitës ka qenë kryetar i bashkisë së këtij qyteti, por kur një njeri nuk lë dot gjurmë 3 metra nga zyra e vet, te muri që e rrethon, te sahati që sheh në dritare, atëherë do të thotë që për të tjerët që do lënë një gjurmë do të ulen ndjeshëm shanset e Partisë Demokratike për të fituar”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu besimin se nuk ka nevojë që dikush të ketë doktoraturë për të kuptuar që një parti që kishte në dorë shtetin dhe qytetin, nuk la asnjë gjurmë dhe sigurisht që e shikon teatrin si gjurmën e radhës.

Ai deklaroi se askush nuk mund t’i sabotojë punët e Tiranës.

“Fakti që përdor të njëjtën skemë, siç bëri me Presidentin te këndi i lodrave, me të njëjtët protestues, që pasi diskreditohen del në pah partia që e ka organizuar, sigurisht që mundohet ta sabotojë. Nuk e sabotojnë dot Tiranën. Unë e kam premtuar publikisht, Tirana nuk ndalet. Do të ndalemi vetëm nëse qytetarët thonë, e di çfarë, duam të kthehemi te gjumi, të votojmë gjumin prapë. Po votuan gjumin vitin tjetër, atëherë qyteti do të ndalet, por sa të jem unë, kam premtuar që nuk do të ndalet dhe do sigurohem që nuk do të ndalet”, theksoi Veliaj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.