Rritet pjesëmarrja në shkollat profesionale

TIRANË, 4 gusht /ATSH/- Gjatë vitit të fundit është vënë re një tendencë në rritje e regjistrimit të të rinjve në arsimin e mesëm profesional.

Të rinjtë po rrisin interesin për arsimin profesional, duke e vlerësuar atë si rruga e sigurt drejt punësimit real dhe rritjes së të ardhurave ekonomike.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të rinjve që ndjekin arsimin profesional nga 18% që ka qenë në vitin shkollor 2013-2014, është rritur në 20.6% përgjatë vitit 2017-2018, krahasuar me 79.4% që zgjedhin gjimnazin e përgjithshëm.

Raporti i publikuar së fundi nga INSTAT bën të ditur se, pjesëmarrja në arsimin e mesëm në total ndërkohë arrin në 93.9% për sezonin shkollor 2017-2018, duke u rritur me 0.8% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë që politikat e qeverisë shqiptare po mbështesin me nisma të veçanta zhvillimin e arsimit profesional, duke e parë atë si një mundësi të mirë për punësim. e.xh//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.