Policia shton kontrollet për parandalimin e aksidenteve rrugore

TIRANË, 4 gusht/ATSH/- Gjatë sezonit të verës Policia Rrugore vijon me shtimin e kontrolleve në kryeqytet dhe në autostradën Tiranë-Durrës, për parandalimin e aksidenteve.

Në një prononcim për mediat, shefi i komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Erion Ahmeti, theksoi se “matjet e shpejtësisë që policia rrugore ka në inventarin e vet, janë të vendosura në të gjitha njollat e zeza si në rrugët urbane dhe ndërurbane të qytetit. Kemi të intensifikuar punën duke goditur të gjithë fenomenet, gjithë kundravajtjet që janë burim i shtuar i aksidenteve. Ecjet me shpejtësi, përdorimin e alkoolit, parakalimet e gabuara që janë një nga shkaqet e ndodhjes së aksidenteve”.

Sipas tij, në krahasim me një vit më parë, ka një ulje të numrit të aksidenteve.

“Rezultatet e deritanishme, lidhur me ngjarjet rrugore janë në nivele të ulëta. Policia Rrugore e Tiranës në krahasim me vitin e kaluar ka një numër të konsiderueshëm të aksidenteve rrugore, me pasoja më pak se vitin e kaluar”, nënvizoi Ahmeti.

Ai i bëri apel të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin celular në timon, të mos bëjnë parakalime të rrezikshme, të përdorin rripin e sigurimit, etj.

Policia Rrugore do të jetë në gatishmëri të përforcuar këto ditë të fluksit të pushimeve./k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.