Liqenet e Ulzës dhe të Shkopetit shpallen zona bashkëmenaxhuese peshkimi

TIRANË, 4 gusht /ATSH/- Liqenet e Ulzës dhe Shkopetit, pjesë të Bashkisë Mat, vetëm 60 kilometra larg kryeqytetit, do të marrin vlerë të shtuar të një atraksioni të veçantë, me shpalljen zona bashkëmenaxhuese peshkimi.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj, në  bazë të  ligjit  “Për peshkimin”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shpalljen e liqeneve të Ulzës dhe të Shkopetit si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, si objekte ujore me interes për peshkimin.

Plani i bashkëmenaxhimit për liqenet e Ulzës dhe të Shkopetit miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Masat menaxhuese të peshkimit sipas përcaktimit që bën vendimi i qeverisë duhet  të përputhen me statusin mjedisor të zonës.

“Veprimtaritë që do të kryhen në liqenin e Ulzës janë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe me objektivat e planit të menaxhimit të parkut natyror rajonal, kategoria IV, për liqenin e Ulzës” nënvizon vendimi.

Parku Natyror Rajonal, ka një sipërfaqe prej 4.206 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, atë të Ulzës dhe të Shkopetit, si zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit.

Aktualisht, ka plane bashkëmenaxhimi për Liqenin e Ohrit, Prespës dhe për atë të Shkodrës.

Plani menaxhues me Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit vlerësohet nga institucionet si modeli më efikas në drejtim të ruajtjes dhe rritjes së rezervës së peshkimit, menaxhimit më të mirë të burimeve dhe mjeteve të peshkimit, si dhe në mundësinë që i jepet OMP (Organizatat të Menaxhimit të Peshkimit) për të aplikuar për skema mbështetëse në AZHBR (psh mole të vogla lundruese, qendër grumbullimi peshku apo dhe për rikthimin në traditë me kriposjen dhe tymosjen e tij). e.xh//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.