FOTO- Parku i gjelbër i Pukës i kthehet qytetarëve, pastrohet nga mbeturinat

112

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ – Parku i gjelbër i qytetit të Pukës, nga një vend ku hidheshin mbeturina, po kthehet në një zonë pushimi për qytetarët.

Bashkia e Pukës ka nisur aksionin për pastrimin total të zonës, evitimin e degëve të thara të pemëve dhe lyerjen e tyre në të gjithë pjesën e kurorës së ulët të qytetit, duke e transformuar atë në një hapësirë në shërbime të qytetarëve dhe kryesisht të moshuarve.

I harmonizuar natyrshëm me liqenin e rivitalizuar, tashmë parku përbën pjesën më atraktive të qytetit të Pukës.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një fizionomi tjetër, duke u bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese./k.s//e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.