Arsimi cilësor, prioriteti i PD-së

294

TIRANË, 4 gusht/ATSH/  Partia Demokratike e konsideroi sot prioritet arsimin cilësor me libra falas dhe financim për studentët e mësuesit, ndërsa e cilësoi “dramatike braktisjen e shkollës nga 133 mijë nxënës e studentë”.

Përmes një deklarate për shtyp, kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Albana Vokshi u shpreh se “sot jemi në ditët më dramatike që arsimi po përjeton prej kalimit në demokraci pas viteve 1990”.

Sipas saj “në fund të mandatit të parë të qeverisë së Edi Ramës, rreth 133 mijë nxënës ose 1 në 6 nxënës kanë braktisur shkollat”.

“Sipas INSTAT; nga arsimi 9 vjeçar janë larguar 57,403 nxënës; nga arsimi mesëm janë larguar 31,875 nxënës; nga arsimi i lartë janë larguar 44,425 studentë. Të dhënat zyrtare nga INSTAT, tregojnë se edhe Arsimi Profesional, ka një rënie të ndjeshme prej më shumë se 2 mijë studentësh krahasuar me vitin 2013”, u shpreh Vokshi.

Partia Demokratike, tha Vokshi, do të sigurojë tekste falas për të gjithë fëmijët që ndjekin arsimin publik, pa përjashtim.

“PD do të sigurojë mbështetje për nxënësit e studentët e familjeve në nevojë. Do të mbështesë financiarisht nxënësit e talentuar e të shkëlqyer. PD do të mbështesë mësuesit e pedagogët duke siguruar kushte të mira e dinjotoze pune, si dhe do të shfuqizojë Ligjin e Arsimit të Lartë”, tha Vokshi. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.