Kriminaliteti në Shkodër, ulje me 10% krahasuar me 1 vit më parë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ -“Situata e kriminalitetit në qarkun e Shkodrës është nën kontroll, ka ulje me 10% krahasuar me 1 vit më parë”, është shprehur drejtori vendor i Policisë Shkodër, Vehbi Bushati në një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Bushati theksoi se, “janë kryer disa operacione dhe ndërhyrje në kohë të policisë për parandalimin e ngjarjeve me pasoja”.

Bushati gjithashtu shtoi se janë marrë masa për sezonin turistik, teksa është ngritur stacioni i Thethit.

Ndërkohë Bushati theksoi se ka ulje të ndjeshme të rasteve të kultivimit të kanabisit.

Ministri Xhafaj shprehu vlerësim pozitiv për punën e strukturave të Policisë së Shkodrës.

“Ju inkurajoj per gjithçka po bëni, megjithë vështirësitë që keni në punën e përditshme. Vlerësim të veçantë për reagimin policor në parandalimin e disa ngjarjeve të fundit në Shkodër, të cilat kanë rritur klimën e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit”, u shpreh Xhafaj.

Gjithashtu ministri kërkoi “masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut të rënduar për shkak të sezonit veror edhe në Pikat e Kalimit Kufitar”.

/gj.mima//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.