Inkurajohen investimet japoneze në Shqipëri

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ – Inkurajohen investimet japoneze në Shqipëri në vijim të një vëmendje të rritur të vëmendjes dhe pranisë së Japonisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito, priti sot në mjediset e ambasadës Drejtorin e sapoemëruar Ekzekutiv të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Sokol Nano.

Në takim u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes të dy institucioneve.

Ambasadori Ito foli mbi optimizmin për të ardhmen bazuar në investimet e huaja dhe zhvillimet, ndërsa i konfirmoi drejtorit ekzekutiv të AIDA-s mbështetjen e plotë të ambasadës japoneze dhe qeverisë për të bashkëpunuar drejt rritjes së investimeve direkte japoneze në Shqipëri.

Nano bëri një prezantim të shkurtër të rolit, misionit dhe shërbimeve që ofron AIDA ndërsa u fokusua te objektivi i saj për të thithur dhe mbështetur investimet e huaja në Shqipëri.

Përveç kësaj, ai rikonfirmoi angazhimin e këtij institucioni për të mbështetur investimet japoneze ndërsa bëri një përshkrim të shkurtër të klimës miqësore të investimeve.

Nano u përqëndrua në mënyrë të veçantë në mundësinë e një partneriteti mes AIDA-s dhe organizatave japoneze të biznesit, ndërsa theksoi qasjen e qeverisë shqiptare të diplomacisë ekonomike për të nxitur investimet e huaja. /p.s.//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.