Inaugurohet pika kufitare e Hanit të Hotit

TIRANË, 3 gusht /ATSH/- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të Pikës së kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, (PKK) në Shkodër, vlerësoj investimin në objektet e reja moderne të pikës së kalimit kufitar, që siç u shpreh ai, përbën një dëshmi konkrete të përmbushjes së angazhimit europian ndaj Shqipërisë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Xhafaj falënderoi BE-në, si dhe përfaqësuesit zyrtarë të pranishëm në këtë ceremoni, për ndihmën dhe kontributin e dhënë për ta sjellë këtë pikë kalimi në standardet bashkëkohore.

Financimi i këtij projekti, tha ai, nga programet e asistencës së BE-së, (IPA2012) shkon rreth 2.5 milionë euro.

Projekti për PKK të Hani të Hotit, synon përmirësimin e infrastrukturës ndërkufitare ku përfshihet edhe terminali i ri doganor. Janë ndërtuar mbi 10 objekte të reja, dhe janë rinovuar tërësisht ato ekzistuese. Nga ky investim pritet një shërbim më cilësor ndaj qytetarëve, një lehtësim veprimesh të njerëzve dhe kryesisht të mallrave, por njëherësh edhe një sofistikim i kontrolleve për mallrat dhe mjetet, që lëvizin nga dhe drejt Republikës së Malit të Zi dhe më tej.

“Përurimi i sotëm pason atë të PKK të Morinës në Kukës, ceremonia e së cilës u zhvillua javën e kaluar”, tha Xhafaj, ndërsa shprehu një falënderim të veçantë për Ambasadoren e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin.

“Qeveria shqiptare ka ndër prioritetet e saj zhvillimin e turizmit dhe prandaj po punohet që edhe portat hyrëse në vendin tonë të kenë standarde të vendeve të përparuara”, tha ministri Xhafa.

Është një fakt inkurajues, vijoi ai, që ky sezon turistik ka qenë i mbarë dhe me një aktivitet normal në pikat tona të kalimit kufitar. Masat që kemi marrë në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, parashikojnë edhe lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve në portat hyrëse, një ngarkesë që deri më sot për fat është përballuar më së miri dhe që natyrisht ky zgjerim i pikës hyrë në këtë kalim kufitar, do ta lehtësojë akoma më shumë këtë lëvizje, nënvizoi ministri.

Ky investim tha Xhafa do të lehtësojë qarkullimin e shpejtë të turistëve nga vendi ynë por edhe ata që hyjnë në territorin tonë.

“Synimi kryesor është që në këtë pikë kufitare të kemi ambiente dhe infrastrukturë të nivelit dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Shengenit. Jemi të bindur se ky investim do të realizojë pritshmëritë për të pasur një menaxhim të kufirit shumë më cilësor se në të shkuarën, e tashmë të krahasueshëm me vendet e BE-së”, deklaroi ai.

Ambientet e reja të ndërtuara, do t’u japin mundësi agjencive ligjzbatuese, të kryejnë edhe më lehtësisht dhe me efikasitet menaxhimin e kufirit. Po kështu, këto do t’u shërbejnë autoriteteve doganore; atyre të kontrolleve veterinare e fitosanitare; etj., pra një sërë përfaqësuesish të agjencive ligjzbatuese të vendit për të kryer shumë më mirë detyrën e tyre.

“Gjithashtu qeveria shqiptare ka parashikuar një fond të posaçëm dhe do të nisë së shpejti punimet për një ndërtesë të re për administratën në këtë Pikë të Kalimit Kufitar” theksoi ministri.

Ndërsa nënvizoi se, suksesi i këtij projekti të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e BE është një tregues i padiskutueshëm i orientimit politik dhe aspiratave tona për integrimin e plotë në familjen e madhe europiane.

“Sot, rajoni dhe gjithë zona e BE-së, po ndeshet me fenomenin e migracionit të paligjshëm, të shoqëruar edhe me fenomene të tjera që cenojnë apo paraqesin një sfidë për parametrat e sigurisë së vendeve anëtare. Për të pasur standarde të larta sigurie në vend, është e domosdoshme të bëhet një menaxhim i mirë i kufijve në mënyrë që jo vetëm të prodhojë garanci për vendet përkatëse, por për të gjithë rajonin e familjen e madhe europiane” u shpreh Xhafaj.

Sipas tij, një vend i sigurt bën edhe një rajon më të sigurt, prandaj menaxhimi i integruar i kufijve ka një rëndësi të veçantë dhe është një bonus në përpjekjet e vendeve tona për të hyrë nesër në familjen evropiane. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.