Zgjerim i sezonit turistik, rritet me 107% numri i të huajve me linjat charter

TIRANË,2 gusht /ATSH A.ALLA / – ‘Në periudhën janar -qershor 2018, fluksi i udhëtarëve që fluturuan me linjat charter në aeroportin tonë ”Nënë Tereza” ka patur një rritje me 66% krahasuar me po të njëjtën periudhë në 2017-ën.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Klosi  deklaroi sot se vetëm në muajin qershor 2018, ky fluks u rrit me 107% krahasuar me 2017.

Sipas tij, kjo tregon zgjerimin e sezonit në Shqipëri dhe prurjet e turistëve në vendin tonë jo vetëm në periudhën klasike dy mujore të verës, por më shpejt se kaq që në muajin maj -qershor të këtij viti.

Gjithashtu, Klosi tha se ”këto të dhëna konfirmojnë dhe njëherë trendin e rritjes së turizmit shqiptar, depërtimin e tij në tregje të reja botërore dhe diversifikimin e produktit të ofertës turistike si dhe shtrirje e aktivitetit turistik përgjatë gjithë vitit”.

”Me rritjen e fluksit të turistëve përgjegjësia jonë është mirëmenaxhimi i këtij numri të shtuar të vizitorëve të cilin ne e përballojmë dhe me taksë forcat të cilët janë 24 orë në shërbim dhe gjatë sezonit veror”, përfundoi ministri Blendi Klosi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.