TUNIZI – Ndarjet politike paralizojnë vendin

TUNIS, 2 gusht /ATSH-AFP/ – Mosmarrëveshjet politike në Tunizi për largimin ose jo të kryeministrit, Youssef Chahed kanë paralizuar vendin, theksoi sot qendra e reflektimit “International Crisis Group” (ICG) duke iu kërkuar partive të gjejnë konsensus.

Pionere e Pranverës Arabe në vitin 2011 me kryengritjen që çoi në rrëzimin e diktaturës, Tunizia është përballur me sfida serioze për rimëkëmbjen e ekonomisë së saj dhe për t’iu përgjigjur pritshmërive sociale të popullsisë, ndërkohë që papunësia ka arritur 15,4%.

Ajo ka marrë një kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke premtuar se do të ndërmarrë reforma, por këto muajt e fundit debati politik është fokusuar më shumë në mbajtjen ose jo të kryeministrit.

Formacionet politike duke përfshirë dhe një degë të partisë presidenciale Nidaa Tunes dhe sindikata e fuqishme qendrore UGTT, kërkojnë largimin e tij me argumentin e paaftësisë së tij për të zgjidhur vështirësitë ekonomike.

“Lufta mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Chahed vazhdon të jetë e tensionuar dhe vazhdimi i misionit të qeverisë Chahed kontribuon në paralizimin e veprimit publik”, zbulon ICG në një raport./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.