SIRI – Regjimi sirian rimerr kontrollin e tre provincave jugore

MOSKË, 2 gusht /ATSH-AFP/ – Regjimi sirian ka rimarrë kontrollin e plotë të tre provincave jugore, Deraas, Qouneitras dhe Soueidas dhe ka rimarrë gjithashtu kontrollin e kufirit me Jordaninë, konfirmoi sot ushtria ruse që mbështet ushtrinë qeveritare.

“Forcat siriane, të mbështetura nga aviacioni rus, kanë shkatërruar plotësisht forcat e grupit të Shtetit Islamik dhe ish-Frontit-Al-Nosra dhe kanë rimarrë kontrollin e provincave Soueida, Deraa dhe Qouneitra”, deklaroi një zyrtar i lartë i shtabit të përgjthshëm, gjenerali Serguei Roudskoi.

Ai përshëndeti këtë operacion unik, që ka mundësuar për forcat siriane çlirimin nga xhihadistët të 3 332 kilometrave katrorë të territorit sirian dhe rimarrjen e kontrollit të 146 lokaliteteve.

“Gjithashtu, regjimi i Damaskut ka rimarrë plotësisht kontrollin e kufirit mes Sirisë dhe Jordanisë dhe janë krijuar kushtet për rifillimin e aktiviteteve nga forcat e OKB-së për ruajtjen e paqes në Lartësirën e Golanit”, theksoi gjenerali Roudskoi./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.