Plazhet shqiptare këtë vit më të pastra dhe më të sigurta

TIRANË,2 gusht /ATSH A.ALLA / – Plazhet këtë vit janë më të pastra falë nismës së ndërmarrë nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për pastrimin e Shqipërisë si dhe inspektimeve intensive të kryera në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik por jo vetëm.

”Kemi nisur përgatitjet e sezonit turistik jo brenda viti 2018, por që në nëntor të 2017 ku kemi ndërtuar disa aksione ku më kryesori ka qenë ”Të pastrojmë Shqipërinë që duam”. Në 6 muaj punë intensive, arritëm të pastronim të gjithë shtretët e lumenjve dhe bregdetin shqiptar. Me ndihmën e mijëra vullnetarëve, arritëm të pastrojmë 20 mijë ton mbetje urbane nga e gjithë zona turistike e vendit. Plazhet këtë vit janë më të pastra dhe verifikimin mund ta bëj kushdo pavarësisht se ne presim çdo evidentim të problematikave të pazgjidhura deri më tani”, u shpreh ministri Klosi gjatë takimit të zhvilluar sot në ambientet e Kryeministrisë.

Sipas Klosit ”janë kryer 1125 inspektime për subjektet që trajtonin ujrat e zeza dhe sot mund të themi se i kemi eliminuar plotësisht hedhjet e ujrëve të zeza nga subjektet private në zonën e bregdetit dhe në lumenjtë shqiptar”.

Gjithashtu ai shtoi se,” janë reduktuar ndjeshëm zhurmat në zonat turistike. Kjo pasi kemi dakordësuar me bashkitë, zonat ku lejohet muzika dhe oraret. Tashmë me mbështetjen e madhe të Policisë së Shtetit, nuk ka asnjë rast abuzimi me oraret e vendosura nga bashkitë”, përfundoi Klosi./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.