Kredia për biznesin shënoi vlerën 89 miliardë lekë

Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5% në tremujorin e dytë të vitit

TIRANË, 2 gusht /ATSH/- Në 6-muajt e parë të këtij viti biznesi përfitoi rreth 89 miliardë lekë kredi nga sistemi bankar.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ndër degët më me peshë, rritje regjistroi tregtia, si një ndër aktivitetet dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, si edhe industria përpunuese.

Sipas BSH-së, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5% në tremujorin e dytë të vitit, me një kontribut më të balancuar në rritje midis kredisë në lekë dhe kredisë në valutë.

Shifrat tregojnë se kreditimi i biznesit po gjallërohet dhe paralelisht me të edhe kërkesa e sektorit privat për kredi, çka reflekton një dinamikë të re zhvillimi në ekonominë e vendit.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, në deklaratën e kësaj jave pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, përsëriti edhe njëherë apelin ndaj bankave për një qëndrim më aktiv të kreditimit, në përgjigje kjo edhe të uljes së rrezikut kreditor, reflektuar në rënien e raportit të kredive me probleme. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.