ISHSH, 2169 inspektime në të gjithë vendin

98

TIRANË, 2 gusht/ATSH/-Që nga çelja e sezonit turistik e deri më tani, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 2169 inspektime në hotele, bare, restorante, pishina dhe ujësjellësat në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ndërsa numri i turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë është rritur, gjatë një takimi të mbajtur sot në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, kreu i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda ndau shifrat e mësipërme lidhur me kushtet e higjenës dhe cilësisë së shërbimit të ofruar.

“Deri më sot kemi kryer 2169 inspektime të cilat kanë qenë konkretisht në subjekte të cilat kanë destinacion akomodimin, hotelet, baret, restorantet dhe të gjitha pishinat dhe ujësjellësat në të gjithë territorin e Shqipërisë. Janë rreth 58 inspektorë që bëjnë inspektime dhe 2 grupe inspektuese të task-forcës, të cilat janë në mbështetje dhe në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik të shëndetshëm, të pastër higjenikisht dhe cilësisht”, -u shpreh Deda.

Më tej, ai bëri apel për të denoncuar çdo rast shkelje në numrin 0800 40 40, vënë në dispozicion të qytetarëve.  ISHSH ka hartuar inspektime të planifikuara që në çelje të sezonit turistik, gjatë e deri në mbyllje të sezonit turistik. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.