Ansamble dhe rapsodë, nga trevat shqiptare në festivalin “Oda e Llapushës”

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/- Rreth 21 grupe, ansamble dhe rapsodë, nga të gjitha trevat shqiptare çelën mbrëmjen e djeshme në Malishevë, natën e parë të edicionit të pestë të festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”.

Nata e parë e festivalit  u ndoq nga qytetarët të shumtë, mërgimtarë, personalitete të kulturës dhe artit, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e lokale, si zëvendëskryeministri i parë në qeverinë e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete të tjera.

Këtij aktiviteti me rëndësi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë, i kanë paraprirë një varg aktivitetesh, ndërsa festivali mbahet në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen për “Javën e Mërgimtarëve” në Malishevë, përfshi edhe një sesion shkencor për folklorin në trevën e Llapushës.

Në hapjen e festivalit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, tha se “ky festival ka shënuar rritjen më të madhe brenda një periudhe të shkurtër”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, u shpreh se “askund më mirë nuk shkon ky emër dhe ky zë, se në vatrën e folklorit shqiptar, në zëmër të Kosovës, në zemër të shqiptarisë, në Malishevë. Në këtë festival ne i kujtojmë të gjithë brezat që luftuan ndër shekuj, deri në luftën çlirimtare dhe bënë të mundur që ne sot të jetojmë të lirë, të festojmë dhe ti kujtojmë me krenari”.

Juria e festivalit përbëhet nga Zymer Neziri, Adem Zejnullahu dhe Izet Durak, ndërsa drejtoreshë e festivalit është drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj.

Festivali vazhdon sonte me natën e dytë dhe të fundit, ku edhe do të përcaktohen çmimet e festivalit nga juria profesionale. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.