Zvicra, mbështetje zhvillimit ekonomik e social në Shqipëri

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ – Mbështetja zvicerane, veçanërisht për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, apo në fushën e arsimit profesional, ka qenë domethënëse dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë.

Kështu vlerësoi sot Presidenti Ilir Meta, i cili uroi Presidentin Alain Berset, me rastin e Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane.

Meta shprehu kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis dy vendeve, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor.

Në dy dekadat e fundit, theksoi ai, këto marrëdhënie janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, duke krijuar një bazament shumë të qëndrueshëm për të ardhmen e bashkëpunimit tonë.

“Vlerësoj lart ndihmën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1992 e në vijim, si përmes asistencës teknike, ashtu edhe nëpërmjet donacioneve apo investimeve të drejtpërdrejta”, u shpreh Meta.

Po ashtu, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Zvicra i ka krijuar komunitetit shqiptar për t’u integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë së saj.

Ky komunitet, tha Kreu i Shtetit, është bërë sot një urë e fuqishme miqësie e bashkëpunimi dhe i ka dhënë një përmbajtje edhe më të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.