Urbanizimi, Rama: Sfidë që kërkon shumë durim, Tirana në rrugën e duhur

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Urbanizmi i vendit është një sfidë në vazhdim që kërkon shumë durim.

Kështu iu përgjigj Kryeministri Edi Rama, interesit të një vajze mbi urbanizimin, gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën në mbrëmje në Jalë në jug të vendit, me të rinj përfaqësues të FRESSH-it.

“Janë bërë dëme të jashtëzakonshme në vite të tëra. Nuk është e lehtë. Megjithatë, besoj që Tirana është në rrugën e duhur. Në Tiranë po bëhet maksimumi. Edhe në disa bashki të tjera që e kanë këtë plagë shumë të madhe unë besoj që po bëhet një punë shumë e madhe”, tha Kryeministri.

Sigurisht, theksoi ai, që janë probleme pafund që nuk mbarojnë asnjëherë, por besoj që po bëhet një punë goxha sistematike dhe ajo që është më e rëndësishmja është që po bëhen punët me radhë.

“Ajo çka e karakterizoi qeverisjen e vendit tonë për 20 e ca vite ishte që s’kishte radhë puna. Një këtu, një atje, një atje, një këtu edhe faktikisht shteti, Shqipëria, si shtet, si institucione u bë së Bathorja, një kioskë këtu, një kioskë atje, një ndërtim këtu, një ndërtim atje, një garazh këtu, një lavazh atje. Kështu u bënë Ministrisë. Kështu u bënë Agjencitë. Kështu u bënë dhe sot e gjithë ditën ne kemi akoma shumë punë për të pastruar këtë trashëgimi, me institucione të futura nëpër shtëpi, me shtëpi të kthyera në institucione, me historira të paimagjinueshme, pra është proces dhe duhet durim. Duhet shumë durim”, deklaroi Kryeministri.

Ndërsa shprehu shqetësimin se, njerëzit janë absolutisht në të drejtën e tyre të mos kenë durim, se kanë pritur gjatë, por rrugë tjetër nuk ka.

“E vetmja rrugë është që të merren punët me radhë dhe nëse gjërat që ne po bëjmë sot, ose që kemi bërë në këto 4 vite e 9 muaj do ishin bërë 24 vite përpara me këtë radhë ne sot do ishim komplet diku tjetër”, theksoi Kryeministri. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.