Rrugë e re për shmangien e zonave të rrezikshme në minierën e Bulqizës

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Në vijim të takimeve të zhvilluara me subjektet minerare, që operojnë në zonën e Bulqizës dhe konsultimeve të vazhdueshme të ekspertëve, u arrit marrëveshja për rrugën që do të ndërtohet në zonën D të minierës së Bulqizës.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, kjo rrugë ka qëllim shmangien e lëvizjes së njerëzve dhe të mjeteve larg të ashtuquajturave hinka apo zona të rrezikshme.

Në diskutimet dhe konsultimet në grupin e përbashkët të punës të ngritur për këtë qëllim, u parashtruan 3 variantet e mundshme për zgjidhje:

1.Varianti i rrugës, në pjesën Lindore të V.B me pjerrrësi 8%, L= 2 km
2. Varianti i rrugës, në pjesën Lindore te V.B me pjerrësi 10%, L=2.5Km
3. Varianti i rrugës, me platformë dhe bypass

Ekspertë të AKBN bënë një prezantim të situatës dhe domosdoshmërisë së marrjes së vendimit për zgjidhje të menjëhershme.

Sipas tyre rruga aktuale që përshkon pjesën më të madhe të galerive në zonën e Bulqizës, në shumë prej segmenteve të saj përbën rrezik real për shkak të dëmtimeve të shumta, ndaj Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kërkoi bashkëpunimin e subjekteve të Bulqizës për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës.

Pas prezantimit me detaje të tre varianteve, me unanimitet të plotë u vendos: Zgjidhja sipas variantit 3, ndërtimi i rrugës me platformë dhe bypass.

Afatet e realizimit të projektit janë: 15 Shtator 2018 për Bypass-in dhe 1 Nëntor 2018 për Platformën.

Në fund të takimit marrëveshja u firmos nga të gjitha subjektet e pranishme./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.