Punët e shtëpisë, arsyeja e papunësisë së 32% të grave krahasuar me 2% të burrave

TIRANË, 1 gusht/ATSH/-Kujdesi dhe puna shtëpiake është arsyeja e papunësisë për 32% të grave krahasuar me 2% të burrave në Shqipëri.

Organizata ndërkombëtare që operon në Shqipëri, Un Women ka bërë apel për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e plotë të grave në të gjitha sferat e jetës pasi në mungesë të tyre nuk ka zhvillim të qëndrueshëm.

“32 % e grave nuk janë të punësuara për shkak të punës në shtëpi krahasuar me vetëm 2% të burrave. Puna e papaguar kufizon mundësitë e grave dhe vajzave për të shkuar në shkollë, për të gjetur një punë të mirë me pagesë ose thjesht për të kaluar kohën e lirë”, -bën publike Un Women(që operon për të drejtat e grave).

Ndërkaq, lidhur me objektivat që parashikohen të realizohen deri në 2030, këto të fundit kanë të bëjnë me njohjen dhe vlerësimin e punës së papaguar dhe punës në familje. Po kështu, një tjetër objektivë është arritja e punësimit të plotë dhe punës së denjë për të gjithë gratë dhe burrat.

Lidhur me promovimin barazisë gjinore, qeveria Rama, përbën edhe qeverinë e parë në histori me 75 % element femëror në kabinetin qeveritar. Barazia gjinore dhe promovimi i grave është një temë e ndjeshme në BE. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.